Aviokompanitë sezonale, që zakonisht fillojnë punën në vendin tonë gjatë sezonit të verës, në masë të madhe po i dëmtojnë qytetarët, por edhe aviokompanitë serioze, që prej vitesh merrem me këtë biznes.
Gjatë vitit të kaluar, sivjet, por edhe viteve tjera, shumë qytetarë që punojnë në botën e jashtme kanë rënë pre e mashtrimeve nga ana e këtyre kompanive.
Por, këto njëkohësisht kanë dëmtuar edhe aviokompanitë me traditë, pasi që janë munduar të hyjnë në garë me çmime të ulëta.
Organizuar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), të hënën në Prishtinë është mbajtur konferenca e dytë rreth aviacionit civil në vendin tonë.
Moderatori i konferencës Albion Idrizi, tha se në fund të konferencës së parë është bërë një konkludim i përbashkët, që komunikimi ndërsektorial duhet të zhvillohet edhe më tej. Po ashtu, sipas tij, për të zhvilluar këtë sektor duhet të ketë një strategji të përbashkët zhvillimore.
Sipas tij, pikë tjetër e konkludimit të konferencës së kaluar ka qenë se në Kosovë nuk ka kushte dhe nevojë për aviokompani vendore.Ai më tej tha se mosintegrimi ndërkombëtar i Kosovës po pengon ndërkombëtarizimin e aviacionit kosovar.
Remzi Ejupi, pronar i kompanive “Kosova Airlines” dhe “Eurokoha” thotë se në Kosovë, nuk ka strategji zhvillimore, në këtë rast sipas tij, nuk ka strategji as sa i përket zhvillimit të aviacionit civil. Ejupi tha se zhvillimi i aviacionit në këtë kohë është vetëm një humbje kohe.
Ai më tej tha se kompanitë kosovare nuk kanë thuajse asnjë përkrahje nga shteti, por përkundrazi, sipas tij, ato dëmtohen, pasi që gjatë sezonit të verës Kosova u krijon mundësi shumë kompanive joserioze të hyjnë në vendin tonë.
Ai tha se licencimi i aviokompanive sezonale në masë të madhe po dëmton qytetarët e Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme.“Shumë qytetarë të Kosovës janë mashtruar nga aviokompani sezonale, të cilët ua kanë marrë paratë dhe i kanë lënë për orë të tëra në aeroport”, tha ai.
Sipas tij, si pasojë e kësaj, shumë bashkatdhetarë kanë humbur edhe vendet e tyre të punës, pasi që për shkak të vonesave, ata nuk kanë arritur me kohë në shtetet ku ata jetojnë dhe punojnë.“Për kompanitë e mia, siguria është gjeja kryesore. Unë nuk mund të flej deri sa avioni të aterojë në aeroport. Në këtë biznes mazha e fitimit është shumë e vogël, dhe në kohën e verës kur ka më së shumti udhëtarë, në treg hyjnë kompani të reja e të cilat bëjnë konkurrencë të pandershme. U marrin paratë qytetareve, nuk paguajnë tatimin dhe ikin nga Kosova” tha ai.
Ejupi tha se edhe më tutje për të mbetet shqetësuese ikja nga Kosova e aviokompanive të mëdha botërore, siç është “British Airways”, ku sipas tij kjo aviokompani ka ikur nga Kosova për 1000 euro.
Sipas tij, edhe ngritja enorme e çmimeve për shfrytëzimin e hapësirave brenda aeroportit është bërë thuajse e papërballueshme.